1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Macron dhe Xi diskutojnë për Rusinë, Ukrainën dhe tregtinë

7 Maj 2024

Presidenti francez Macron priti homologun e tij kinez Xi Jinping në Pallatin Elysée në Paris të hënën. Në takimin e përbashkët u fol mbi luftën e Rusisë në Ukrainë dhe tregtinë midis Kinës dhe Bashkimit Evropian.

https://p.dw.com/p/4faCy
Frankreich China Xi Jinping Besuch Emmanuel Macron (im Square Fokus auf Xi Jinping)
Fotografi: Gonzalo Fuentes/AP/picture alliance

Xi mbërriti në Francë të dielën në një nga vizitat e tij të rralla në Evropë. Gjatë vizitës ai u takua veç Presidentit Macron edhe me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Macron mirëpret "angazhimin” për të mos i shitur armë Rusisë

Gjatë një konference për shtyp të organizuar pas bisedimeve, Macroni përshëndeti "angazhimin e Kinës për të mos shitur armë" dhe për të mos dhënë "ndihmë" për Rusinë në mbështetje të luftës së drejtuar nga Moska në Ukrainë.

Ai tha se Franca dhe Evropa "respektojnë lidhjet e lashta që bashkojnë Kinën dhe Rusinë" dhe për këtë arsye mirëpriti premtimin e Pekinit për të "kontrolluar rreptësisht eksportin e mallrave me përdorim të dyfishtë" që mund të përdoren ushtarakisht.

Macron dhe Xi me grate
Fotografi: Yoan Valat/AP/picture alliance

Ai tha se dëshironte të "mbante dialog të ngushtë" me Pekinin dhe falënderoi Presidentin Xi që erdhi në Francë për t'u "konsultuar" përpara vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Kinë.

Duke këmbëngulur se Perëndimi "nuk ka një qëllim të përbashkët për të sjellë ndryshimin e regjimit në Moskë", ai tha se shpresonte se takimi i tij me Presidentin kinez Xi "do të na lejojë të ndjekim një agjendë të përbashkët dhe "të identifikojmë nëse ka apo jo një dëshirë për paqe të qëndrueshme'.

Xi thekson "rolin pozitiv" të Kinës në Ukrainë

Xi, i cituar nga media shtetërore kineze, tha se të gjitha palët dëshironin një armëpushim, një kthim në paqe në Evropë dhe shmangien e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm, por ai e paralajmëroi Macronin që të mos "përlyejë" Kinën me Ukrainën.

"Kina nuk e krijoi krizën ukrainase dhe nuk është palë në të”, tha Xi në konferencën e shtypit të mbajtur së bashku me Macronin.

"Por ne nuk kemi qëndruar duarkryq. Ne kemi luajtur gjithmonë një rol pozitiv në vendosjen e paqes."

Macron begrüßt Xi Jinping im Élysée-Palast
Fotografi: Kiran Ridley/Getty Images

"Ne refuzojmë përdorimin e krizës ukrainase për të hedhur fajin, për të njollosur vendet e treta dhe për të filluar një Luftë të re të Ftohtë. Siç ka treguar historia herë pas here, konfliktet mund të zgjidhen vetëm përmes negociatave."

Xi tha se do të mbështeste një konferencë ndërkombëtare paqeje, duke përfshirë Rusinë dhe Ukrainën "në kohën e duhur" dhe, sipas Macronit, ai ra dakord të mbështeste një armëpushim të propozuar në të gjitha konfliktet globale gjatë Lojërave Olimpike në Paris këtë verë.

"Unë ju falënderoj që treguat gatishmërinë tuaj, gjatë bisedimeve tona, për t'u kërkuar të gjitha palëve për një armëpushim olimpik," tha Macron, duke shtuar se një armëpushim i tillë për "të gjitha teatrot" e luftës mund të kontribuojë në vendosjen e paqes së qëndrueshme në konflikte.

Ursula von der Leyen akuzon Kinën për manipulim të tregut

Vitet e fundit, tensionet tregtare janë intensifikuar midis Kinës dhe BE, dhe kjo e fundit ka kërkuar gjithnjë e më shumë të zvogëlojë varësinë e saj nga ekonomia e dytë më e madhe në botë.

Përpara takimeve të së hënës, presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen paralajmëroi për ato që ajo i quajti "praktikat e shtrembërimit të tregut" të Kinës, dhe tha se subvencionet shtetërore për automjetet elektrike dhe çelikun e industrive kineze mund të çojnë në "deindustrializimin e Evropës".

Komisioni Evropian ka njoftuar se do të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së tarifave doganore për automjetet elektrike nga Kina.

"Kina aktualisht prodhon, me subvencione masive, më shumë sesa shet për shkak të kërkesës së dobët të brendshme," tha von der Leyen. "Kjo çon në një tepricë të produkteve kineze të subvencionuara, të tilla si EV (automjetet elektrike) dhe çeliku, gjë që çon në tregti të padrejtë,” theksoi von der Leyen.

Ajo tha se bota nuk mund të thithë prodhimin e tepërt të Kinës dhe se Brukseli do të koordinohet me grupin e G7 të vendeve të prekura nga politikat e Kinës. Megjithatë, von der Leyen theksoi gjithashtu se BE nuk po kërkon të "shkëputet nga Kina".

Xi dhe gruaja e tij
Fotografi: Thibault Camus/AP/picture alliance

"Mosbalancimet aktuale të aksesit në treg nuk janë të qëndrueshme dhe duhet korrigjuar," tha ajo, duke i bërë thirrje BE-së të forcojë qëndrueshmërinë e zinxhirëve të saj të furnizimit.

Xi bën thirrje për partneritet të vazhdueshëm me BE

Gjatë diskutimeve, të cilat u zhvilluan me dyer të mbyllura, Xi ra dakord që fërkimet ekonomike dhe tregtare të zgjidhen përmes dialogut, sipas mediave shtetërore kineze.

Ai tha se Kina dhe BE-ja duhet të "mbesin partnerë" dhe "të kryejnë koordinim strategjik" dhe kështu "të japin kontribute të reja për paqen dhe zhvillimin botëror".

Duke kryesuar takimin, Macron bëri thirrje për "rregulla të drejta për të gjithë" në tregtinë midis Evropës dhe Kinës dhe tha: "E ardhmja e kontinentit tonë do të varet shumë qartë nga aftësia jonë për të vazhduar zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën në një mënyrë të ekuilibruar".

Xi do të vizitojë Hungarinë dhe Serbinë pas vizitës së tij në Francë.

aud (mf/AFP, Reuters, dpa)